Përlotet në emision, poezia e ndjerë e babait të Ergi Dinit kushtuar djalit: Pasha njat Zot, Bir, çohu!

Ajo është një këngëtare e dashur për publikun, për zërin dhe shpirtin artistik që ka. Pak kohë më parë Barbana Dini ishte në studion e Rudina Magjistarit në Tv Klan për të prezantuar këngën e saj të re “Libri Dashnis” duke u rikthyer pas 5 vitesh me një videoklip të ri.

Por po atë ditë, në emisionin “Rudina”, ajo lajmëroi që në ditën e lindjes së vëllait të saj, Ergi Dini, do të nxjerrë një këngë të lënë përgjysëm nga ai, e cila ishte menduar që të ishte bashkëpunim me të motrën.

Pas 3 vitesh, Barbana Dini e ka përmbushur amanetin e vëllait te saj, duke bërë të mundur që sot në ditën e lindjes së tij të prezantojë këngën në bashkëpunim me vëllain e saj të ndjerë. Sot, në studion e emisionit “Rudina”, ishte e shoqëruar nga heroi i saj, siç ajo e konsideron të atin, z.Dashamir Dini.

Dhimbjen dhe mungesën e Ergit, Dashamir Dini ka vendosur ta hedhë në letër. Ai ka shkruar një poezi për të dhe çdo fjalë e saj është dhimbje shpirti.

“Poezia është një mënyrë komunikimi shumë e veçantë por që të shkarkon shpirtin dhe vepron më mirë se proza dhe çdo zhaner tjetër për të transmetuar atë që ndjen. Sepse figuracioni i pasuron mundësitë dhe mjetet shprehëse janë më të gjera në poezi. Unë kam shkruar shumë poezi, por që nga ikja e tij unë nuk kam shkruar më poezi vetëm prej Ergit. Shkruaj vetëm njëherë në vit për ditëlindjen e tij ose momentin e ndarjes. Është e njëjta gjë që më frymëzon, në kuptimin e asaj që të shkarkoj diçka dhe me e mbajt marrëdhënien me të”.

Poezia që babai i tij shkroi një vit më parë, për 24-vjetorin e ditëlindjes së Ergit:

Zvarritem mes dhembjes së ngrirë

Në trajtat gri të mermerit

I mbështjellë me mungesën tande

kam marr me vete përkthyesin shurdh-memec

që di gjuhën e heshtjes, Ergi,

për me ma përkthy heshtjen tande fjalë për fjalë

që me mujt me ja shu disi flakët mallit.

Kam marrë edhe fotografin e verbër të errësirës

për foton etradicionale

të këtij përvjetori…

Ooooh!

Po unë s’mund të shoh, k’shtu

mbulu me dimër,

moj Pranverë!

Pash njat Zot çohu bir!

Cohu

E m’ban me u ndi gjallë edhe një herë

Mu të vdekunit ma të mallkum të tana kohëve,

Që fati mizor

Më detyron me jetu jetën tande!

Pasha njat Zot, Bir, çohu!

 Çohu  

Se kitara jote pret varur në gishtat e erës

Për me këndu

Shumë urime për ty…..”!

Unë lutem, e lutem,

U kryqëzum

Në tmerrin

E udhëkryqit tem të namun,

tuj u rujt deri në shpresë…

Por fati yt,  i pamëshirmshëm

Mi refuzon të gjitha lutjet

Për me zanë, unë, vendin tand.

Jam i dënum

me u end mes të gjallëve

çdo çast lahem

me zjarrin e ferrit

tuj andruu se një ditë,

kam me i gjet dyert e parajsës

ku më pret ti…..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *